/Wolfgang Streeck/
Kapitalizmit – mënyrë e qytetëruar dhe e padhunshme pasurimi
material vetjak përmes këmbimeve tregtare – i është dashur ta nxjerrë veten nga
feudalizmi duke ndërtuar aleancë me antiautoritarizmin liberal dhe lëvizjet për
demokraci. Prapëseprapë, shoqërizimi historik i kapitalizmit dhe demokracisë ka
qenë ngaherë i vështirë dhe i njollosur, sidomos në periudhat e para, me
dyshime reciproke të forta. Kapitalistët druheshin se mos demokracia shkonte më
larg se ç’duhej, ku shumica e shpronësuar do të hiqte pronën private, kurse
klasat punonjëse shqetësoheshin se mos, për të mbrojtur veten nga shpronësimi,
kapitalistët do të shfuqizonin zgjedhjet e lira dhe lirinë e shoqërimit. Vetëm
pas 1945 kapitalizmi demokratik, ose demokracia kapitaliste, u bë një regjim politiko-ekonomik
gjysmë i stabilizuar në pjesën perëndimore të botës së industrializuar, së paku
për dy a tri dekadat pas luftës, kur politikat kejnesiane të punësimit të
plotë, ekspansioni i shtetit social dhe sindikalizmi i pavarur mbështetën
rritjen e lartë dhe të qëndrueshme ekonomike dhe u mbështetën nga këto të
fundit.
Kjo nuk donte të thoshte, sidoqoftë, se kapitalizmi
demokratik nuk kishte tensione. Si sistem shoqëror, demokracia kapitaliste
sundohet nga dy bashkësi divergjente parimesh normative: drejtësia shoqërorenga
njëra anë dhe drejtësia e tregut nga ana tjetër, ku e para i mvishet ekonomisë
morale të shoqërisë, kurse e dyta qëndron në atë që mund të quhet ekonomia
ekonomike. Ekonomia morale e kapitalizmit demokratik reflekton çka njerëzit besojnë
se është e drejtë dhe e ndershme, kurse ekonomia ekonomike, ose ekonomia e
tregut, i shpërndan burimet duke u bazuar në produktivitetin margjinal dhe,
kësisoj, maksimalizon efiçencën. Demokracia i përgjigjet ekonomisë morale të
kapitalizmit demokratik, ndërsa tregu është në ekuilibër vetëm kur mund të
funksionojë sipas parimeve të ekonomisë ekonomike.
Nga fundi i viteve 1960 nisi të bëhej e qartë se kapitalizmi
dhe demokracia nuk mund të ecnin krah për krah pa i vënë pak a shumë shkopinj
nën rrota njëra-tjetrës. Drejtësia shoqërore dhe drejtësia e tregut u bënë
gjithnjë e më të vështira për t’u pajtuar, pavarësisht përpjekjeve të
vazhdueshme të qeverisë, medias dhe teorisë ekonomike standarde për t’i bindur
qytetarët se drejtësia e tregut ishte në fakt forma më e lartë e drejtësisë
shoqërore. Në fakt është e vërtetë që, nëse njerëzit do të mund të
riedukoheshin për ta organizuar jetën e tyre të përbashkët sipas diferencave në
produktivitetin margjinal, kapitalizmi do të ishte demokratik pa qenë së brendshmi
kontradiktor dhe i brishtë. Megjithatë, deri më tash pjesa më e madhe e
shoqërive njerëzore vazhdojnë t’u përmbahen parimeve tradicionale të drejtësisë
shoqërore të cilat mund të hyjnë fare kollaj në konflikt me drejtësinë e
tregut. Shembuj të tillë do të ishin idetë se njeriu duhet të paguhet sa
ç’duhet për punën e vet; se njerëzit nuk duhet të jenë të varfër për shkak të
moshës së thyer; se askush nuk duhet të vdesë urie, të mbesë pa kujdes
shëndetësor kur është sëmurë apo të jetë i shtrënguar të flejë rrugëve; se në
vendin e punës punëtorët duhet të kenë kujt t’i drejtohen për të shmangur
ushtrimin arbitrar të autoritetit manaxherial; apo se punëdhënësit duhet t’i
paralajmërojnë punëtorët përpara se t’i pushojnë nga puna.
Përderisa kapitalizmi nuk ia ka dalë akoma t’i tresë
konceptet popullore të drejtësisë politike në nocionet teoriko-efiçente të
drejtësisë së tregut, kapitalizmi dhe demokracia, ose tregu dhe politika, nuk
do të reshtin së ndërhyri te njëra-tjetra. Kur ekonomia morale mësyn politikat ekonomike,
ajo përthith një tarifë efiçence prej ekonomisë, që vihet re në formën e
zvogëlimit të fitimit, ashtu sikundër “ligjet ekonomike” dhe “menaxhimi
ekonomik i shëndoshë” pengojnë plotësimin e pretendimeve morale demokratike.
Për rrjedhojë, qeveritë gjenden vazhdimisht përballë rrezikut të qenies së
shtrënguara të përballen me dy opsione njëlloj të papëlqyeshme: të sakrifikojnë
stabilitetin dhe performancën ekonomike për të mbrojtur legjitimitetin
demokratik dhe të shpërfillin pretendimet popullore për drejtësi shoqërore në
emër të politikave ekonomike të shëndosha. Zakonisht problemi zgjidhet duke u
marrë me radhë me dy brirët e dilemës, duke shkuar tutje-tëhu, kur një
përgjigje e suksesshme ndaj krizës së legjitimitetit demokratik rezulton në
zhdrejtpeshime ekonomike dhe masat e suksesshme ekonomike sjellin pakënaqësi
shoqërore.
Tensionet e brendshme të kapitalizmi demokratik, si edhe
kufijtë e politikave publike që synojnë t’i menaxhojnë ato, ilustrohen nga
sekuenca e krizave që shënojnë historinë ekonomike të demokracive të pasura
kapitaliste prej viteve 1970. Pas fundit të rritjes (ekonomike – shën. përkth.)
së pasluftës, qeveritë e “botës së lirë” i shmangën konfliktet me sindikatat e
fuqishme rreth rritjes së pagave dhe papunësisë duke lejuar nivele të larta
inflacioni. Inflacioni, pak a shumë si kredia, shërbeu për të kapur në të
ardhmen burime joekzistuese, duke u mundësuar punëdhënësve dhe punëtorëve
realizimin në para nominale të pretendimeve, shuma e të cilave ishte më e madhe
nga ç’kishte për t’u shpërndarë në të tashmen. Punëtorët besuan se po merrnin
atë që e perceptonin si të drejtën e tyre moralo-ekonomike për një standard
jetese në rritje të qëndrueshme, të kombinuar me punësim të sigurt, kurse
punëdhënësve u mundësohej të korrnin fitimet sipas pritshmërive të të ardhurave
të duhura, të vendosura në dekadat e rindërtimit të pasluftës. Inflacioni i
vazhdueshëm, sakaq, i zhvlerësoi kursimet e akumuluara dhe i shtrembëroi
gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e çmimit. Ngadhënjimi mbi të në fillim të
viteve 1980, gjatë “revolucionit të Volcker-it”[2], nuk solli stabilitet. Ai i
dha jetë një periudhe rritjeje të borxhit qeveritar, kur politikat elektorale
zëvendësuan marrëveshjet kolektive si mekanizmi politiko-ekonomik i kohës për
të mobilizuar burimet tepricë me synim pajtimin e konflikteve shpërndarëse,
përndryshe përçarëse. Kur në vitet 1990 edhe kjo u bë e papërballueshme,
konsolidimi i financave publike mund të arrihej vetëm duke u dhënë akses
familjeve në kredinë private të parregulluar, çka u lejonte që të ardhurat në
stanjacion dhe pabarazinë në rritje t’i kompensonin duke marrë borxh.
Kthesa e fundit në historinë e kapitalizmit dhe demokracisë
ndodhi pas 2008, kur piramida e borxhit më në fund ra dhe borxhi privat, që e
kishte humbur vlerën e tij, u desh të shtetëzohej për t’i dhënë likuiditet
ekonomisë monetare. Për rrjedhojë pati një rritje dramatike të borxhit publik.
Kjo rritje i dha jetë një epoke të re konsolidimi fiskal, që ende po e vuajmë,
në të cilën shtetet janë në një presion të paprecedent nga “tregjet financiare”
për të shkurtuar shpenzimet për mbrojtje sociale dhe investime, në mënyrë që të
sigurojnë kapacitetin për t’u kthyer paratë kreditorëve. Ndërsa vendi i
mobilizimit të burimeve të ardhshme për qëllimet e tashme të paqtimit politik
është zhvendosur nga marrëveshja kolektive te politika elektorale dhe nga kjo e
fundit te tregu i kredisë konsumatore dhe, në fund, borxhi publik, aftësia e
demokracisë për të shtrembëruar ekonominë ekonomike në emër të ekonomisë morale
është zvogëluar gjithnjë e më shumë. Sot pronarët e kapitalit financiar po
bashkëpunojnë me organizatat ndërkombëtare dhe shtetet kombëtare të zhytura në
borxh për ta shpëtuar njëherë e mirë ekonominë ekonomike nga ekonomia morale e
detyrimeve shoqërore tradicionale dhe të drejtat e qytetarisë moderne – me
mundësi më të mëdha suksesi sesa kurrë më parë gjatë katër dekadave që prej
viteve 1970. Përderisa shtetet demokratike po shndërrohen në agjenci kolektive
që veprojnë në emër të haute finance[3]-s së re globale, drejtësia e tregut do
të ngadhënjejë mbi drejtësinë shoqërore për një kohë të gjatë, në mos
përgjithmonë. Ndërkohë, ata që si qytetarë ia kanë besimin e tyre demokracisë
kapitaliste duhet t’u lenë vendin atyre që si investitorë kanë vendosur paratë
e tyre mbi të.
Studimi i kapitalizmit bashkëkohor në termat e ndeshjes
midis ekonomisë morale dhe ekonomisë së tregut lyp një hulumtim më të detajuar
në natyrën e pretendimeve shpërndarëse të bazuara në produktivitetin margjinal.
Sipas ekonomiksit standard, ato dallojnë prej tagrave shoqërore ngaqë ndryshe
nga këto të fundit nuk janë morale dhe subjektive, teknike dhe objektive.
Megjithatë, një qasje sociologjike do të na mundësonte të shihnim pas perdes së
teorisë efiçente ekonominë morale të pronarëve dhe investitorëve të kapitalit
apo, më në përgjithësi, të burimeve prodhuese thelbësore. Koncept kyç këtu
është ai i “besimit” të investitorit, siç është analizuar në teorinë politike
të Kalecki-t[4] mbi ciklet e biznesit. Në vend se të reagojnë në mënyrë mekanike
ndaj normave të fiksuara të të ardhurave të pritshme, pronarët e kapitalit
përdorin prononcimet e gjendjes së tyre të vetëdiagnostikuar “psikologjike”,
nga pesimizmi në optimizëm, nga paniku në eufori, për të sinjalizuar nëse ajo
që po u ofrohet në këmbim për investimin e burimeve të tyre i shkon për shtat
asaj për të cilën ndjejnë se kanë tagër. Shprehjet e “besimit investitor” të
ulët përdoren strategjikisht në një proces ndërveprues përcaktimi të përbashkët
të asaj që investitorët duhen lejuar të marrin prej pjesës tjetër të ekonomisë
në kushtet e dhëna të pamjaftueshmërisë dhe të shpërndarjes së pushtetit
politik. Këto kohë investitorët në tregjet financiare globale i përdorin
luhatjet e normës së interesit që kërkojnë prej shteteve për të financuar borxhin
e tyre publik me qëllim që t’i japin forcë kërkesës për politika shtrëngimi
edhe më të vendosura. Ekonomia politike e bazuar në veprimin shoqëror dhe jo në
efiçencën teorike duhet të jetë e aftë ta shtjetërsojë mekanizmin e tregut të
ekonomiksit standard dhe t’i shfaqë formacionet e çmimit dhe fitimit ashtu siç
janë: rezultat i një lufte midis koncepteve dhe pretendimeve të papajtueshme të
drejtësisë – “jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë!” vs “këmbimi i drejtë” – dhe
jo midis ideve subjektive të asaj që është e drejtë moralisht nga njëra anë dhe
ligjeve objektive të asaj që është e mundshme ose e kërkueshme teknikisht nga
ana tjetër.
No comments:
Post a Comment