Mar 2, 2017

Suvereniteti kërcënohet nga vetë Ivanovi

Bedia Arifi-Shaqiri
Për të qartësuar se pse unë besoj se Ivanovi flet të pavërteta, unë do të përmend  faktet e mëposhtme:
– Sipas deklaratave të pjesëmarrësve të takimit në Tiranë ditët e fundit të vitit 2016, të transmetuara në media, roli i Ramës ishte konsultativ, dhe në takim u përpilua vetëm një draft dokument që më vonë u formalizua në Maqedoni në mbledhjet e organeve të partive politike shqiptare.
– Dokumenti është zyrtarizuar dhe publikuar në Maqedoni më 7 janar, 2017, Ai është botuar në gjuhën shqipe dhe agjencia shtetërore e lajmeve MIA e ka përkthyer dhe botuar në gjuhën maqedone.
– Në qoftë se lexohet me kujdes i gjithë dokumenti, nuk mund të gjenden elemente të cilat shkojnë përtej Kushtetutës (përveç njërit që është si çështje diskutimi) dhe përveç kësaj platforma nuk ka kohë dhe afate të kushtëzuara. Platforma fillon me pjesën hyrëse ku në paragrafin e parë dhe të fundit, të kësaj pjese, thuhet:
Ne, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni: “Bashkimi Demokratik për Integrim”, koalicion Rilindja me BESË “dhe” Aleanca për Shqiptarët “…
… Ne, jemi dakord për mbështetjen reciproke të agjendës së përbashkët politike, që parashikon realizimin e qëllimeve në vijim në mandatin e ardhshëm të qeverisë dhe / ose në ndonjë mandat të mëtejshëm;
Nga fjalia e fundit e pjesës hyrëse bëhet e qartë se nuk ka asnjë afat që obligon përmbushjen e shtatë pikave të kësaj platforme në këtë mandat apo në ndonjë tjetër .
– Përkundër deklaratave të shumta nga ana e liderëve të partive politike shqiptare se nuk do të ketë qeveri pa u plotësua plotësisht platforma, në fund u pa se pika kryesore ishte ligji për përdorim të gjuhëve dmth ndryshimi i ligjit aktual do të jetë prioriteti i parë i punës së përbërjes së re të parlamentit. Kjo u konfirmua edhe nga lideri i LSDM-së Zaev në deklaratën e dhënë  menjëherë pasi që Ivanovi i mohoi mandatin. Atë mbrëmje edhe njëri nga pjesëmarrësit në hartimin e tekstit të kësaj platforme, profesori i së drejtës kushtetuese Osman Kadriu në  emisionin Analiza në  TV 24, konfirmoi se partitë shqiptare  i kishte “bindur” që të gjitha gjërat që kërkojnë ndryshime në Kushtetutë ( siç janë flamuri, himni dhe stema, të cilat në platformë ishin listuar si temat që duhet të diskutohen), të ngelin për me tutje. Ndërsa  ligji i gjuhës është përgatitur gjatë dhe me kujdes që të mos jetë kundërkushtetues.
-Platforma sipas e Ivanov ka argumente të mjaftueshme të cilat tregojnë se ajo në fakt është një dokument që shpreh vullnetin politik të një grupi të partive. Nuk mund të thuhet se kjo është e imponuar nga vende të huaja, sepse versioni përfundimtar është miratuar në Maqedoni. Kjo është e njëjtë sikur të themi se marrëveshja e Përzhinos, në bazë të së cilës më vonë u miratuan ligje të reja, qenka e imponuar nga jashtë, sepse në disa aspekte është diskutuar edhe në Bruksel edhe në Vjenë, kurse në Shkup në të gjitha bisedimet kanë qenë të pranishëm edhe BE-ja dhe SHBA-ja).
Platforma, pra nuk është dokument që imponon zgjidhje që është në kundërshtim me kushtetutën, me përjashtim të njërit, dhe nuk është e kushtëzuar as me afate dhe as me pranim të pakushtëzuar të saj.

No comments:

Post a Comment