GODITJA

Showing posts with label MEDIALE. Show all posts
Showing posts with label MEDIALE. Show all posts

Mar 2, 2017

Suvereniteti kërcënohet nga vetë Ivanovi

Bedia Arifi-Shaqiri
Për të qartësuar se pse unë besoj se Ivanovi flet të pavërteta, unë do të përmend  faktet e mëposhtme:
– Sipas deklaratave të pjesëmarrësve të takimit në Tiranë ditët e fundit të vitit 2016, të transmetuara në media, roli i Ramës ishte konsultativ, dhe në takim u përpilua vetëm një draft dokument që më vonë u formalizua në Maqedoni në mbledhjet e organeve të partive politike shqiptare.
– Dokumenti është zyrtarizuar dhe publikuar në Maqedoni më 7 janar, 2017, Ai është botuar në gjuhën shqipe dhe agjencia shtetërore e lajmeve MIA e ka përkthyer dhe botuar në gjuhën maqedone.
– Në qoftë se lexohet me kujdes i gjithë dokumenti, nuk mund të gjenden elemente të cilat shkojnë përtej Kushtetutës (përveç njërit që është si çështje diskutimi) dhe përveç kësaj platforma nuk ka kohë dhe afate të kushtëzuara. Platforma fillon me pjesën hyrëse ku në paragrafin e parë dhe të fundit, të kësaj pjese, thuhet:
Ne, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni: “Bashkimi Demokratik për Integrim”, koalicion Rilindja me BESË “dhe” Aleanca për Shqiptarët “…
… Ne, jemi dakord për mbështetjen reciproke të agjendës së përbashkët politike, që parashikon realizimin e qëllimeve në vijim në mandatin e ardhshëm të qeverisë dhe / ose në ndonjë mandat të mëtejshëm;
Nga fjalia e fundit e pjesës hyrëse bëhet e qartë se nuk ka asnjë afat që obligon përmbushjen e shtatë pikave të kësaj platforme në këtë mandat apo në ndonjë tjetër .
– Përkundër deklaratave të shumta nga ana e liderëve të partive politike shqiptare se nuk do të ketë qeveri pa u plotësua plotësisht platforma, në fund u pa se pika kryesore ishte ligji për përdorim të gjuhëve dmth ndryshimi i ligjit aktual do të jetë prioriteti i parë i punës së përbërjes së re të parlamentit. Kjo u konfirmua edhe nga lideri i LSDM-së Zaev në deklaratën e dhënë  menjëherë pasi që Ivanovi i mohoi mandatin. Atë mbrëmje edhe njëri nga pjesëmarrësit në hartimin e tekstit të kësaj platforme, profesori i së drejtës kushtetuese Osman Kadriu në  emisionin Analiza në  TV 24, konfirmoi se partitë shqiptare  i kishte “bindur” që të gjitha gjërat që kërkojnë ndryshime në Kushtetutë ( siç janë flamuri, himni dhe stema, të cilat në platformë ishin listuar si temat që duhet të diskutohen), të ngelin për me tutje. Ndërsa  ligji i gjuhës është përgatitur gjatë dhe me kujdes që të mos jetë kundërkushtetues.
-Platforma sipas e Ivanov ka argumente të mjaftueshme të cilat tregojnë se ajo në fakt është një dokument që shpreh vullnetin politik të një grupi të partive. Nuk mund të thuhet se kjo është e imponuar nga vende të huaja, sepse versioni përfundimtar është miratuar në Maqedoni. Kjo është e njëjtë sikur të themi se marrëveshja e Përzhinos, në bazë të së cilës më vonë u miratuan ligje të reja, qenka e imponuar nga jashtë, sepse në disa aspekte është diskutuar edhe në Bruksel edhe në Vjenë, kurse në Shkup në të gjitha bisedimet kanë qenë të pranishëm edhe BE-ja dhe SHBA-ja).
Platforma, pra nuk është dokument që imponon zgjidhje që është në kundërshtim me kushtetutën, me përjashtim të njërit, dhe nuk është e kushtëzuar as me afate dhe as me pranim të pakushtëzuar të saj.

Jan 7, 2017

Në këtë fshtat të Shqipërisë fshihet thesari i Aleksandrit të Madh

Miraka është fshati mes Elbasanit dhe Librazhdit ku kërkohet thesari i Aleksandrit të Madh. Fshati ka pozicion të çuditshëm gjeografik. Në anën veriore ndodhet një shkrep i lartë që banorët e thërrasin Guri i Borjes. Shkëmbi gri ka një varg shpellash dhe majash të thepisura.
Është mjaft e vështirë të ngjitesh në majën e malit. Megjithatë pikërisht në këtë vend ekzistojnë rrënojat e një kështjelle të lashtë.
Në anën jugore ndodhet Ura e Kamares mbi lumin Shkumbin. Ura u ndërtua në mesjetë. Ajo lidh dy anët e rrugës antike Egnatia, e cila pasi zbret nga malet e Polisit, vazhdon rrëzë gurit të Borjes dhe më pas gjarpëron drejt Ohrit.
Sipas gojëdhënës, por edhe sipas intenerarit të hartave që aktualisht ndodhen në duart e disa kërkuesve në perëndim, në gurin e Borjes ose diku rreth urës së Kamares fshihet një thesar i paçmuar i Aleksandrit të Madh.
Historia e thesarit ka ngacmuar kureshtjen e eksploratorëve që shekullin e kaluar. Por kërkimet i intensifikuan sidomos pas viteve 90. Në mes të këtyre viteve, një kërkues 72 vjeçar nga Anglia arriti me një hartë në dorë në të cilën ishte e detajuar e gjithë vija Egnatia.
“Turisti” i vjetër kërkoi ndihmën e banorëve të zonës, madje kreu edhe disa gërmime private përgjatë rrugës shekullore si në banjot antike në Bradashesh, në kalanë e Mengëlit, në Malin e Borjes në afërsi të disa urave etj.
Kulmi i kërkimeve u regjistrua në vitin 2002 . Gjatë këtij viti në malin e Borjes u kryen gërmime nga ekspedita të posaçme qeveritare të ardhura nga Tirana. Aq e besueshme ka qenë prania e një thesari në malin e Borjes sa ekspeditat ruheshin nga forcat speciale të cilat nuk lejonin afrimin e kureshtarëve të thjeshtë.
Ende nuk dihet fati i gërmimeve në gurin e Borjes. Por sipas të dhënave kërkimet dështuan. Në fshat u përhap fjala se kërkuesit u tërhoqën të frikësuar pasi gjatë gërmimeve u vranë dhe u aksidentuan, madje një grup prej tyre u sulmua edhe nga gjarpërinjtë e shpellave.
Pas zhgënjimit në malin e Borjes, gërmimet u zhvendosën në kahun tjetër atje ku ndodhet ura e Kamares, një kryevepër mesjetare e ngritur në vitin 1715 nga Ahmet Aga Bicakciu, arkitekt i perandorisë osmane. Që nga ajo kohë ura u ka shërbyer banorëve të zonës së Polisit të cilët edhe sot e konsiderojnë atë si një dhuratë me vlerë.
Ura është shpallur edhe monument kulture. Ka pësuar disa grabitje gjatë 15 viteve të fundit. Një pjesë e gurëve të kalldrëmit janë zhdukur, ndërsa parmakët anësorë kanë pësuar dëmtime të mëdha dhe thuajse nuk janë më funksionale. Hajdutët kanë përvetësuar edhe një pllakë të shkruar arabisht e cila i dedikohej ndërtuesit të saj.
Gjatë vitit të fundit banorët e zonës kanë konstatuar disa gropa që hapen gjatë natës në rrënjë të rrepave që ndodhen përreth kësaj ure. Janë kërkues thesaresh që veç kazmave dhe lopatave tani po përdorin edhe pajisje të sofistikuara për të rënë në gjurmë të këtij thesari.
Kërkuesit e antikuareve dyshojnë se, diku në mal ose afër urës, fshihet një thesar. Dhe ethet e gjetjes së tij sa vijnë e shtohen. Banorët e Mirakës tashmë janë të bindur se diçka me vlerë fshihet në tokën e tyre…