Jan 9, 2017

Kush është edukatori?!

Recension: “Shkolla dhe shoqëria” nga John Dewey
Vepra “Shkolla dhe shoqëria” e filozofit dhe psikologut amerikan John Dewey trajton njërën nga çështjet më aktuale në shoqëritë bashkëkohore: sistemin arsimor. Për çka shërben shkolla sot, kush është në fakt edukatori dhe si konceptohet dija në shoqëritë e sotme, janë vetëm disa nga pyetjet që Dewey përpiqet t’u jap përgjigje.
Kush është edukatori?!
Raporti i shkollës me shoqërinë dhe, rrjedhimisht, roli i edukatorit në raport me nxënësin përbën një debat të gjatë dhe polemizues mes filozofëve, psikologëve dhe intelektualeve në përgjithësi, përgjatë periudhave të ndryshme historike. Posaçërisht kjo tematikë u problematizua pas revolucionit industrial – mes shekujve 18 dhe 19 – ku zbatimi i shkencës që solli shpikjet e mëdha dhe me këtë edhe shfrytëzimin e natyrës në një shkallë të gjerë, shtroi para studiuesve kërkesën për një sistem të ri arsimor, i cili do t’i përgjigjej kërkesave dhe nevojave të shoqërisë. Në shoqëritë tradicionale nuk ka ekzistuar pothuajse kurrfarë lidhje e procesit edukativ me nevojat dhe kërkesat e shoqërisë. Në fakt, ky hendek që ekziston mes shkollës dhe shoqërisë përveç në shoqëritë tradicionale, do të jetë aktual edhe në shek. XX; në kohën kur dija, sikurse çdo gjë tjetër pas shpikjes se mjeteve të komunikimit, kishte mundësi të pafundme të kapilarizimit dhe shtrirjes së saj në të gjitha shoqëritë.
Kësaj problematike një vëmendje të veçantë i ka kushtuar posaçërisht filozofi dhe psikologu amerikan, John Dewey, në veprën e tij të njohur “Shkolla dhe shoqëria”. Si themelues i shkollës filozofike të pragmatizmit, në këtë vepër Dewey argumenton se në shoqëritë tradicionale dija ka qenë e monopolizuar, në shërbim të një grupi të vogël njerëzish dhe pa kurrfarë lidhje me shoqërinë. Kjo përqasje izoluese dhe monopolizuese e dijes do të ndikojë më vonë edhe në raportin mes edukatorit dhe nxënësit, ku i pari shihej vetëm si përçues i informatës, kurse i dyti kishte rol krejt pasiv në integrimin e tij në shoqëri. Raportet ishin individuale dhe shkolla nuk ishte në shërbim të shoqërisë, nuk i përgjigjej kërkesave dhe ndryshimeve radikale, të cilat kërkonin edukim integrues mes të dyjave.
Edukimi si monopol
Shkolla tradicionale, karakteristikë e shoqërive dhe sistemeve para revolucionit industrial, e redukton procesin e të nxënit dhe të mësuarit si marrëdhënie individuale mes edukatorit dhe nxënësit, duke abstrahuar tërësisht nga elementi social. Por Dewey tërheq vërejtjen se edukimi edhe në shoqëritë e sotme shihet më shumë si marrje e informatës, zotërim dhe monopolizim i dijes, sesa si mënyrë jetese dhe integrim. Sipas Dewey-t, procesi edukativ i shëndoshë i ka dy aspekte: atë psikologjik dhe aspektin sociologjik. Në këndvështrimin e tij, kur është në pyetje shkolla si ana psikologjike dhe ajo shoqërore duhet të jenë të lidhura organikisht njëra me tjetrën dhe edukimi i mirëfilltë nuk përfundon në marrjen e disa informatave, por përqendrohet edhe në përgatitjen e individit me kërkesat dhe rrethanat socio-politike në shoqëri. Qasja pragmatiste e Dewey-t shkollën nuk e sheh të izoluar nga shoqëria, por si mënyrë jetese, e cila zhvillohet nga pjesëmarrja e individit në “vetëdijen shoqërore të njerëzimit”.
Në vrojtimet e tij mbi sistemin arsimor të shoqërive tradicionale dhe atyre të sotme, Dewey sheh një gjë të përbashkët: duke qenë se shkolla ishte një institucion shoqëror, asnjëra nga to nuk kishte arritur që edukimin ta shndërronte në mënyrë jetese, përkundrazi duke e izoluar atë dhe duke pamundësuar kështu lidhjen mes procesit edukativ dhe shoqërisë. Para se gjithash, edukimi sipas Dewye-t është një proces i të jetuarit dhe jo një përgatitje për jetën e ardhshme; kritika e tij ndaj sistemit arsimor ekzistues qëndron pikërisht në atë se nuk kishte arritur të krijonte individ shoqëror, që do t’iu përgjigjeshin kërkesave dhe nevojave të shoqërisë. Krejt çka bënë shkolla sot është pajisje e nxënësit me disa informata, të cilat nuk i shërbejnë nevojave, përvojave dhe lidhjeve të tij të ardhshme me shoqërinë. Prandaj edhe dështimi i procesit arsimor konsiston në atë se shpërfill këtë parim themelor të shkollës si një formë e jetës së përbashkët. Shkolla konceptohet si një vend ku duhet të jepet një informacion i caktuar, ku duhet mësuar mësime të caktuara apo ku formohen shprehi të caktuara. Lidhur me këtë Dewey shprehet:
"Unë besoj se edukimi moral qendërzohet rreth konceptimit të shkollës si një mënyrë e jetës shoqërore, në mënyrë që trajnimi më i mirë dhe më i thellë moral të jetë pikërisht ai që mundëson cilindo që kualifikohet të hyjë në lidhjet e duhura me të tjerët e të vendosë me ta një unitet pune dhe mendimi. Sistemet e sotme edukative, përderisa do ta shkatërrojnë ose shpërfillin këtë unitet, do ta bëjnë të vështirë ose të pamundur marrjen e një trajnimi të vërtetë të rregullit moral. Unë besoj se fëmija duhet të stimulohet dhe të kontrollohet në punën e tij nëpërmjet jetës se komunitetit”.
Progresi në shoqëri sipas Dewey-t mund të arrihet vetëm nëse metoda e cila do të përdorej për ta arritur këtë është edukimi. Dhe në këtë drejtim është detyra e secilit që të këmbëngulë që shkolla të kthehet në instrumentin parësor dhe më efektiv të progresit shoqëror, me qëllim që shoqëria të këtë mundësi të zgjohet e të kuptojë drejt se çka përfaqëson shkolla në të vërtetë. Kjo mund të bëhet vetëm me zhvillimin e njëkohshëm të shkencës psikologjike dhe asaj shoqërore:
"Unë besoj se me zhvillimin e shkencës psikologjike, do t’i jepet një vëmendje akoma edhe më e madhe strukturës individuale dhe ligjeve të zhvillimit; dhe me rritjen e shkencës shoqërore, të shoqëruar me njohuritë tona të organizimit të drejtë të individëve, të gjitha burimet e sotme e të ardhme shkencore do të arrijnë të përdoren për qëllimet e edukimit”.
Këtë bashkim mes individuales dhe shoqërores Dewye e quan art, që i jep formë forcave jetësore dhe i përshtat ato në shërbimet shoqërore. Sipas tij, kur shkenca dhe arti do të arrijnë t’i bashkojnë duart, atëherë do të arrihet njëherazi edhe motivi më autoritar i veprimtarisë njerëzore; pra do të nxiten motivet më të vërteta të sjelljes njerëzore dhe do të garantohet shërbimi më i mirë që natyra njerëzore është e aftë të japë. Kjo arrihet vetëm nëse procesi edukativ lidhet me jetën, nëse shkolla bëhet për fëmijën streha ku ai mëson i drejtuar kah jeta, përpos të qenit një vend për të mësuar dhe që ka disa lidhje abstrakte e të largëta me një jetë të mundshme në të ardhmen. “Bota pa lidhjet e saj me veprimtarinë njerëzore do të ishte më pak se një botë. Edhe shkolla është një komunitet në miniaturë, një shoqëri embrionale”.
Mësimi si mënyrë jetese
Në të kaluarën ekzistonte ajo që Dewey e quan “monopol praktik i mësimit”. Edukimi shihej më shumë si çështje klasore dhe, për më tepër, jo të gjithë arrinin t’i frekuentonin institucionet intelektuale. Në njërën anë shkenca ruhej e fshehur në dorëshkrime dhe ata që ishin më të mirët ishin vetëm pak. Pra edukimi në shoqëritë tradicionale ka qenë kryesisht i izoluar dhe dija është konceptuar si monopol vetëm për një klasë të shoqërisë:
“Shprehja më e paevitueshme e këtyre kushteve ishte ekzistenca e priftërinjve të lartë të mësimit të cilët e ruanin fanatikisht thesarin e së vërtetës, duke ua shpërndarë atë masave nën kufizime të rrepta”.
Mirëpo pas revolucionit industrial, me shpikjen e makinës se shtypjes, kjo situatë ndryshoi rrënjësisht: filloi tregtimi i librave, revistave, gazetave dhe si rezultat i lokomotivës dhe i telegrafit, u krijua ndërkomunikimi i shpejtë dhe i lirë me postë dhe elektricitet. Me këtë ndryshoj edhe perceptimi për dijen: nuk konceptohej më e izoluar nëpër institucione të caktuara dhe vetëm për një klasë të caktuar, por ajo “u shndërrua në një lëng i cili lëviz në mënyrë aktive në të gjitha “kanalet” e shoqërisë”.
Por me gjithë shpikjet moderne në komunikim, prapë se prapë, Dewey mendon se shoqëria e sotme ende nuk është çliruar tërësisht nga metodat skolastike të të mësuarit. Madje ai thotë se metodat e shkollës që aplikohen sot deri në një masë janë trashëgimi nga koha kur mësimi dhe zotërimi i simboleve të caktuara ishin shumë të rëndësishme. Këto ideale i gjejmë edhe në sistemin e sotëm arsimor: “Arsimimi i tanishëm është shumë i specializuar, i njëanshëm dhe i ngushtë. Është një arsimim i sunduar pothuajse plotësisht nga konceptet mesjetare të të nxënit e që në pjesën më të madhe është tërheqës për aspektin intelektual të natyrës tonë, të dëshirës sonë për të mësuar, për të grumbulluar informacion dhe për të zotëruar simbolet e të nxënit, por jo të impulseve dhe të tendencave tona për të ndërtuar, për të kryer, krijuar dhe prodhuar, qoftë edhe në formë shërbimi (dobie) ose në formë arti”.
Pasojë e krejt kësaj është ajo që sot është aktuale në sistemin arsimor: ndarjen e njerëzve në “të kulturuar” dhe “punëtor” dhe rrjedhimisht veçimin e teorisë nga praktika. Kësaj situate i paraprin edukimi i paintegruar, që nuk e sheh mësimin si mënyrë jetese, si përgjigje ndaj përvojave të njerëzimit, por si diçka individuale mes edukatorit dhe nxënësit. Prandaj pikëpamja e Dewey-t se gabimi në sistemin arsimor të sotëm është sepse e eliminon elementin social nga procesi edukativ ka lidhje të pashmangshme me rolin që ka edukatori në këtë proces. Për shkak të shpërfilljes së idesë për shkollën si një formë e jetës shoqërore, edhe roli i edukatorit nuk arrin të stimulojë tek nxënësi punën e tij nëpërmjet jetës në komunitet.
Sipas tij, mësuesi nuk është në shkollë për të diktuar ide të caktuara apo për të formuar shprehi të caktuara të fëmija, por është aty si një pjesëtar i komunitetit për të përzgjedhur faktorët të cilët do të ndikonin ndaj fëmijës dhe ta ndihmojnë atë të reagojë siç duhet ndaj këtyre faktorëve.
“Unë besoj se disiplina e shkollës duhet të zhvillohet nga jeta e shkollës si një tërësi dhe jo drejtëpërdrejt nga mësuesi. Unë besoj se detyra e mësuesit është thjesht të përcaktojë mbi bazën e përvojës së gjerë dhe mençurisë së arritur nga njerëzimi, se si – e gjithë kjo disiplinë e jetës – të mund të shkojë e plotë tek fëmija”.
Të njëjtave standarde mësuesit duhet t’iu referohen edhe kur është në pyetje çështja e vlerësimit të nxënësit dhe provimit. Provimet janë të dobishme thotë Dewey “për aq sa ato testojnë përshtatjen e fëmijës për jetën shoqërore dhe arrijnë të zbulojnë vendin në të cilin ai mund të jetë me shumë i dobishëm dhe ku ai mund të marrë më shumë ndihmë”.
Një mangësi tjetër është paaftësia e edukatorit që t’i vëzhgojë interesat dhe potencialin e nxënësit. Vëzhgimi është një element shumë i rëndësishëm në stimulimin dhe nxitjen e zhvillimit të potencialit të secilit nxënës. Prandaj roli i edukatorit nuk përfundon aty ku përfundon përçimi i thjeshtë i informatës, por shtron si detyrë për të një vëzhgim të vazhdueshëm të interesave të potencialit të nxënësit, pasi vetëm kështu edukatori mund të hyjë në jetën e nxënësit dhe të shikojë se për çfarë ai është gati. Në sistemin arsimor në shoqëritë moderne Dewey nuk sheh se këto interesa po vëzhgohen dhe aq më pak të nxiten tek nxënësi. Përkundrazi, po ndodh e kundërta: ndrydhja e këtyre interesave të cilat po e zëvendësojnë të rriturin me fëmijën, e kësisoj, duke dobësuar kureshtjen intelektuale dhe gjallërinë e tyre.
Në këtë vepër autori nxjerrë si konkluzion faktin se jeta shoqërore sot ka bërë ndryshime aq radikale saqë nëse duam që arsimi të këtë ndonjë kuptim për jetën, ai duhet të kalojë nëpër një transformim të plotë. Ky transformim ndodh atëherë kur shkolla do të shihet si një institucion shoqëror dhe që i shërben asaj, dhe kur roli i edukatorit do të kuptohet po ashtu si një shërbyes shoqëror. Mirëpo, problemi që sheh Dewey tek sistemi arsimor tradicional dhe ai bashkëkohor është ajo se procesi edukativ reduktohet vetëm në njërin aspekt, atë psikologjik apo sociologjik, pa mundësinë e integrimit mes tyre. Ndërkohë që për të edukimi i mirëfilltë përfshinë të dyja anët:
“Unë besoj që anët psikologjike dhe shoqërore janë të lidhura organikisht dhe se edukimi nuk mund të shihet si një kompromis ndërmjet të dyjave apo një mbivendosje e njërit mbi tjetrin”.
Përcaktimi psikologjik i edukimit, e parë si rruga e vetme, do të ishte shterpë dhe formal, pa mundësinë e përdorimit praktik, sikurse përcaktimi shoqëror i edukimit pa përfshirë aspektin psikologjik do të përfundonte me nënshtrimin e lirisë së individit në një status politik dhe shoqërore të formuar qysh më parë. Tejkalimi i kësaj gjendje do të jetë një proces i gjatë, por jo edhe i pashpresë.
Ajo që kërkon Dewey në veprën “Shkolla dhe shoqëria” është një “arsimim i ri” i cili në procesin e ndërlikuar edukativ do t’i merrte parasysh ndryshimet që ndodhin në shoqëri; do ta shndërronte shkollën në një vend përvoje për jetën dhe si mënyrë jetese, e më pak si burim i informacionit. Ky integrim është i pashmangshëm nëse duam që edukimi i sotëm ta humbas karakterin tij të izoluar dhe të pushojë së qeni një çështje që buron vetëm nga mendjet supërkrijuese të pedagogëve të cilët merren me nxënës të veçantë.

No comments:

Post a Comment