Jan 7, 2017

Bashkimi bën fuqinë


Nga Klementin Mile*
Dy ditë më parë, ndërsa po i afrohesha me hap një kryqëzimi në Tiranë, vura re që buzë rrugës, duke pritur rastin për të kapërcyer matanë, qëndronin dy vajza. Semafori nuk funksiononte për shkak të mungesës së energjisë, ndërkohë që makinat vazhdonin të lëviznin me shpejtësi, pa u ndalur aspak te vijat e bardha. Në atë moment, njëra nga vajzat i tha tjetrës: ‘Po nuk u futëm, mbetëm këtu’. Tjetra u përgjigj: ‘Po, por duhet të bëhemi disa’. Situatën e zgjidha unë, duke u futur rrezikshëm para makinave që s’kishin ndërmend të ndalonin, ndërkohë që vajzat më ndoqën me shpejtësi dhe arritën të kalojnë matanë.
Kjo situatë, natyrisht, është e rëndomtë. Të gjitha elementet e saj janë pjesë e normalitetit në një vend si Shqipëria. Kështu, është e rëndomtë të ikë energjia dhe semaforët të mos funksionojnë; është e rëndomtë që makinat të mos respektojnë vijat e bardha; është e rëndomtë që kalimtarët të mos kenë prioritet ndaj automjeteve; është e rëndomtë që njerëzit të hezitojnë për të kapërcyer rrugën; është e rëndomtë që dikush të marrë përsipër riskun e ndonjë aksidenti, duke kaluar para makinave që nuk kanë ndërmend të ndalen; dhe është e rëndomtë që të tjerët ta ndjekin pas.
Por pikërisht fakti që nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë situatë e bën atë tërheqëse filozofikisht. Ndryshe nga letërsia, e cila priret nga e jashtëzakonshmja, mendimi filozofik joshet nga e rëndomta. Mjaft të kujtojmë veprën e famshme Qenia dhe Koha të filozofit Heidegger, ku ai zhvillon të ashtuquajturën ‘analitikë të Dasein-it’, duke u ndalur te praktikat e rëndomta të jetës së njeriut, për të zbuluar prej tyre strukturat themelore të qenies njerëzore. Atëherë, çfarë tregon rëndomtësia e situatës së kryqëzimit? Çfarë strukturash ekspozon?
Elementi mbase më domethënës i situatës është përgjigja e njërës prej vajzave, e cila thotë: ‘Po, por duhet të bëhemi disa’. Vajza në fjalë mendon se dy persona janë të pamjaftueshëm për t’i bërë makinat të ndalen te vijat e bardha, në mënyrë që ato të kalojnë; nevojiten më shumë persona. Kjo të kujton atë shprehjen popullore shqiptare ‘bashkimi bën fuqinë’. Veçse nuk duhet harruar që kjo shprehje iu referohet situatave të luftës ose të konfliktit. Për shembull tregohet që Skënderbeu, në shtratin e vdekjes, iu jep një leksion luftëtarëve të vet me anë të një tufe shkarpash të mbledhura bashkë. Ai iu kërkon burrave më të fortë që t’i thyejnë shkarpat e bashkuara, por asnjëri prej tyre nuk arrin dot. Pastaj i thotë djalit të vet të vogël që t’i thyejë shkarpat. Djali i heq shkarpat nga tufa ku rrinin bashkë dhe i thyen një e nga një.
Le të pyesim pra, a mos vallë ka tipare luftarake dhe konfliktuale edhe akti i kalimit të një kryqëzimi në Tiranë? Në mungesë të energjisë, të semaforit funksionues, të ndonjë polici për të rregulluar trafikun dhe të kamerave monitoruese, a mos jemi në fakt në gjendjen e natyrës, të cilën filozofi Hobbes e cilësoi ‘një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve’? A mos duhet të bëjmë siç rekomandon Skënderbeu, të bashkojmë trupat tanë (‘si një trup i vetëm’ thuhej në komunizëm) në mënyrë që mos mposhtemi nga ‘armiqtë’?
Supozimi pas fjalëve ‘duhet të bëhemi disa’ ka natyrë luftarake dhe nënkupton ekzistencën e mungesës së shtetit. Supozimi është që ‘disa’ kanë më tepër mundësi të kalojnë se ‘një’ ose ‘dy’, sepse kanë më tepër prezencë ose fuqi. Në këtë kuptim, e drejta për të kaluar rrjedh nga fuqia për të kaluar. Pra, njeriu shqiptar nënvizon jo vetëm që bashkimi bën fuqinë, por edhe që fuqia bën të drejtën.
Në fakt, po t’i referohemi vetëm zanafillës së raportit ndërmjet fuqisë dhe së drejtës kudo në botë, është e vërtetë që e drejta është prodhuar nga fuqia. Është gjithashtu e vërtetë që e drejta i bën thirrje fuqisë si mjet i fundit për zgjidhjen e konflikteve (përmbarimi, policia, ushtria). Por në disa vende të botës, ku bën pjesë dhe Shqipëria, mjeti i fundit vjen ndërmend i pari. Jo rastësisht. Që e drejta të shkëputet nga zanafilla e saj prej fuqisë dhe dhunës, që të na bëjë ta harrojmë atë zanafillë, nevojitet komunikim simbolik (përbashkues) dhe besim te institucionet. Kur shoqëria dështon t’i komunikojë simbolet e së drejtës, e vetmja alternativë mbetet kthimi në zanafillë, kthimi te strategjitë e fuqisë dhe të dhunës.
  • *Pedagog në UET

No comments:

Post a Comment